top of page

Ndikimi i stilit të jetesës tek demencia

Shumë njerëz nuk e dinë që ndryshimet në stilin e jetesës, mund të ulin në mënyrë dramatike rrezikun e
demencias, sipas një sondazhi të ri të Institutit britanik për Studimin e Alcaimerit. Sipas studimit, vetëm
një e katërta e të rriturve në Britani janë në dijeni të faktit se ushqimi i shëndetshëm dhe aktiviteti fizik
mund t’i ulë shanset e tyre për t’u prekur nga sëmundja.
Numri në rritje i njerëzve me një formë të demencias, veçanërisht Alcaimer, e ka shtuar alarmin në gjithë
botën. Mosha në rritje është faktori kryesor që rrit rrezikun për demencian dhe ndërsa njerëzit jetojnë
më gjatë, barra e sëmundjes është rënduar.

Instituti britanik për Studimin e Alcaimerit, po publikon shifra të reja lidhur me këtë rrezik.
Raporti i ri e vë theksin tek hapat që mund të ndërmerren për të pakësuar rrezikun e demencias,
përfshirë heqjen dorë nga duhani, një mënyrë aktive jetese dhe ushtirime fizike të vazhdueshme, si
edhe të ndenjurit ulur sa më pak të jetë e mundur.
Po ashtu, një peshë e shëndetshme, një dietë e balancuar dhe konsumi i moderuar i alkoolit, si edhe
mbajtja nën kontroll e kolesterolit dhe tensionit, janë të rëndësishme.
"Nuk ka një metodë fikse për të parandaluar demencian. Por në nivel popullate, mund të jemi në gjendje
të ulim me 10, 20 e ndoshta edhe 30 për qind numrin e atyre që preken prej saj. Ia vlen të dimë se çfarë
ndodh nëse ndiqen këto këshilla, por gjithashtu ia vlen të dimë kufizimet e ndryshimeve, prandaj është e
rëndësishme që të vazhdojmë përpjekjet për zbulimin e kurave të reja, që pa dyshim do të jenë të
nevojshme”, thotë Dr. Simon Ridley, drejtor i Institutit për Studimin e Alcaimerit.
Në vitin 2013, sipas një raporti në gjithë botën kishte 44.3 milionë njerëz që jetojnë me demencia. Kjo
shifër pritet të arrijë në
135.5 milionë në vitin 2050.
Një nga faktet më të vështira për t’u pranuar nga pacientët është se nuk ka kurë, madje as trajtim për të
ngadalësuar përparimin e demencias. Prandaj çdo masë parandaluese është e mirëpritur.
"Demencia prek shumë njerëz nga të gjitha udhët e jetës, nuk diskriminon dhe në botë ka nga 40 deri në
50 milionë vetë që vuajnë në gjithë botën nga demencia. Kostoja e saj tek individualët dhe familjet e tyre
është e jashtëzakonshme, kostoja tek shoqëria është e jashtëzakonshme dhe madje edhe vetëm nga
pikëpamja ekononike është një barrë e jashtëzakonshme”, thotë dr. Ridley.
Për disa njerëz nuk është befasuese dieta dhe ushtrimet fizike mund të pakësojnë rrezikun e
demencias.
"Unë e shoh edhe personalisht se ushtrimet fizike dhe ushqimet e shëndetshme më bëjnë të ndihem
shumë më mirë nga ana mendore, prandaj nuk më habit që ka lidhje me Alcaimerin”, thotë Helen
Compton.
Edhe Ian Hutchinson bie dakord.
"Me kalimin e viteve, duhet të kujdesesh më shumë për veten. Nuk e dija që kishte ndikim tek demencia
por është e natyrshme që shëndeti fizik ka ndikim tek mirëqënia mendore, prandaj sa më shumë
aktivitet fizik të bësh, sa më shëndetshëm të hash, teorikisht aq më shpndetshëm je në moshë të
shkuar”.
Megjithatë aktiviteti fizik dhe dieta nuk janë të mjaftueshme për të luftuar Alcaimerin dhe lloje të tjera të
demencias, prandaj thotë zoti Ridley studimet janë jetike. Ai thotë se një objektiv për të gjetur një kurë
ose trajtim deri në vitin 2025 është ambicioz, por është e rëndësishme sepse e ka kthyer vëmendjen tek
studimet dhe mundësitë për kërkimet në këtë fushë.

bottom of page